Katër shtetas shqiptarë, të moshës 36 deri në 50 vjeç, janë arrestuar në provincën e Huescës në Spanjë, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në kultivimin e një mega-plantacioni me kanabis. Gjykata ka urdhëruar dërgimin e tyre në burg pa mundësi lirimi me kusht.
Garda Civile spanjolle ka çmontuar një plantacion të madh me kanabis në rajonin e Hoya de Huesca, ku dyshohet se ishin kultivuar rreth 1.000 bimë. Në momentin e ndërhyrjes së policisë, në vendngjarje u gjetën 72 bimë kanabisi sativa dhe rreth 220 kilogramë sytha marihuane, me një vlerë të përllogaritur në treg prej afro 413 mijë eurosh.
Sipas autoriteteve spanjolle, gjurmët e gjetura në terren tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e bimëve ishte korrur më herët, ndërsa sasia e përgjithshme e prodhimit mund të kishte gjeneruar përfitime prej miliona eurosh.
Plantacioni ishte ngritur në një zonë malore, i fshehur mes një pylli me pisha, në përpjekje për t’iu shmangur kontrolleve të autoriteteve. Katër të dyshuarit jetonin në tenda kampingu pranë parcelës dhe kishin në dispozicion pajisje të posaçme për kultivimin, përpunimin dhe tharjen e kanabisit.
Gjatë kontrollit, agjentët zbuluan një strukturë të madhe për tharjen e marihuanës, depozita uji për ujitje, plehra dhe fertilizues të tretshëm në ujë, si dhe pajisje për përpunimin e prodhimit.
Në vendngjarje u gjetën gjithashtu makina për heqjen e degëzave, ventilatorë, një ngrohës industrial me ajër të nxehtë dhe një gjenerator elektrik, që përdorej për furnizimin e instalimeve me energji.
Operacioni policor nisi më 17 tetor, kur një patrullë e Seprona-s, njësia e Gardës Civile për mbrojtjen e natyrës, konstatoi shenja që ngrinin dyshime për ekzistencën e një plantacioni të jashtëm me kanabis në zonën malore.
Dy ditë më vonë, më 19 tetor, autoritetet ndërhynë në terren, çmontuan plantacionin dhe arrestuan katër personat e dyshuar si përgjegjës për aktivitetin.
Në operacion morën pjesë efektivë të Kompanisë së Parë të Gardës Civile në Huesca, personel nga postat e Ayerbe, Almudévar, Grañén, Huesca dhe Gurrea de Gállego, ekipi ROCA i Huescës dhe patrulla për Mbrojtjen e Natyrës. /Heraldo/
Lexo edhe
Protesta e 24 tetorit, Policia arreston 23 persona dhe shpall në kërkim 30 të tjerë (EMRAT)
Tensione në protestë, policia ndërhyn dhe shoqëron protestuesit














