Një 32-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi në banesën e tij u zbuluan 47 pako me fishekzjarre, të cilat dyshohet se përdoreshin për të furnizuar persona të maskuar gjatë protestave.
Operacioni policor i koduar “Fireworks 2” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të kontrolleve për identifikimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në tubime me sende të kundërligjshme.
Në pranga ra shtetasi me inicialet D. B., 32 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Zela”, policia gjeti 47 pako me fishekzjarre, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas policisë, nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e lëndëve piroteknike dhe as dokumentacionin shoqërues të blerjes së tyre.
Dyshimet për furnizimin e protestuesve
Nga hetimet paraprake dyshohet se i arrestuari u kishte shitur lëndë piroteknike personave të maskuar që morën pjesë në tubimin e së shtunës, me qëllim përdorimin e tyre në veprime të dhunshme.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
Protesta e 24 tetorit, Policia arreston 23 persona dhe shpall në kërkim 30 të tjerë (EMRAT)
Tensione në protestë, policia ndërhyn dhe shoqëron protestuesit













