Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të hënë në Kryesinë e Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Takimi u zhvillua një ditë pasi kreu i qeverisë prezantoi paketën ligjore kundër dhunës në protesta, e cila parashikon ashpërsimin e masave ndaj personave që kryejnë akte vandalizmi gjatë tubimeve.

Reklame

Sipas informacioneve, gjatë mbledhjes u diskutua paketa e propozuar nga Rama, si dhe mundësia që ndryshimet në ligjin për tubimet të miratohen me procedurë të përshpejtuar.

Gjatë takimit, Rama ka deklaruar se nuk mund të lejohen vandalizmat në qytet. Ai u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën për paketën sociale dhe të zbresin në terren për t’u shpjeguar qytetarëve masat e parashikuara.

Balla: Ligji për tubimet do të ndryshojë me akt normativ

Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se dialogu nuk mund të zhvillohet me personat që ushtrojnë dhunë. Ai mbështeti masat e propozuara nga kryeministri dhe paralajmëroi ndryshime në ligjin për tubimet përmes një akti normativ.

“Dialogu nuk duhet të zhvillohet me ata që dhunojnë. Të gjithë atë paketë të miratuar dje nga kryeministri, ku te ligji për tubimet parashikohen një sërë masash për ata që dhunojnë”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se, sipas tij, dëmet e shkaktuara nga dhuna duhet të paguhen nga personat përgjegjës.

“Paketa ligjore kundër dhunës dhe ligji për tubimet do të ndryshojë me akt normativ”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Balla për dialogun me protestuesit: Dorëheqje të Ramës nuk ka

I pyetur për nismën e kryeministrit Edi Rama për dialog me protestuesit, Balla tha se dialogu nuk përfshin personat që ushtrojnë dhunë dhe as kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.

“Dialog me dhunën nuk ka dhe as dorëheqje të Edi Ramës nuk ka”, deklaroi Balla.

Lexo edhe

Mes protestave dhe refuzimit të dialogut, Rama thërret grupin parlamentar të PS-së

Veliaj shigjeton Ramën: Urime studentëve në Serbi, protestat nuk janë fundi i botës, por i një bote

Reklame