Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas protestës së 24 tetorit në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke theksuar se çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës nga efektivët duhet të hetohet.
Në reagimin e tij, Demo deklaroi se gjatë protestës persona të maskuar sulmuan punonjësit e policisë me gurë, mjete piroteknike, shkopinj dhe sende të forta, si dhe dëmtuan institucione publike dhe prona private.
Sipas ministrit, këto akte nuk lidhen me të drejtën kushtetuese për protestë paqësore. Ai kërkoi që çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e dhunës, përfshirë përfshirjen e mundshme të strukturave politike ose grupimeve ekstremiste, të hetohet nga organet kompetente dhe të vlerësohet mbi bazën e provave.
Demo: Edhe policia duhet të përgjigjet përpara ligjit
Krahas dënimit të dhunës gjatë protestës, ministri theksoi se ligji duhet të zbatohet pa përjashtim, edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës duhet të hetohet me paanshmëri”, u shpreh Demo.
Ai përmendi pezullimin e një punonjësi policie dhe nisjen e hetimeve për rastin e të riut të dëmtuar në sy, duke i cilësuar këto si hapa për zbardhjen e ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive mbi bazën e provave.
Ministri shprehu mbështetje për efektivët e policisë që, sipas tij, përballen me kushte të vështira gjatë kryerjes së detyrës, por nënvizoi se ushtrimi i autoritetit duhet të shoqërohet gjithmonë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.
Thirrje për dialog
Në fund të reagimit, Demo deklaroi se qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime.
“Vendosmëri ndaj dhunës. Respekt për protestën paqësore. Përgjegjësi përpara ligjit, pa përjashtim”, përfundoi ministri.
Reagimi vjen pas protestës së 24 tetorit, gjatë së cilës u raportuan përplasje, të lënduar dhe dëmtime të pronës. Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë për rastet e denoncuara.
Lexo edhe
Policia pezullon efektivin e “Shqiponjave” pas videos ku godet protestuesin e shtrirë në tokë
Protesta e 24 tetorit, Policia arreston 23 persona dhe shpall në kërkim 30 të tjerë (EMRAT)














