Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra një efektiv të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pasi në pamjet e publikuara në media ai dyshohet se godet me shkop gome një protestues të shtrirë në tokë.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj inspektorit me inicialet A. K. ka nisur edhe një hetim administrativ për të sqaruar veprimet e tij gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.
Policia ka njoftuar gjithashtu nisjen e hetimeve për plagosjen në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli. Për këtë rast, veprime hetimore kanë nisur Drejtoria e Standardeve Profesionale, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Në deklaratën e saj, Policia bën me dije se gjatë protestës pesë punonjës policie mbetën të plagosur, ndërsa efektivët u sulmuan me gurë, shkopinj, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov.
Institucioni shprehu keqardhje për qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë të lënduar, duke theksuar se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri.
Pezullimi i efektivit vjen pas publikimit të pamjeve të ndërhyrjes ndaj protestuesit, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe nëse është shkelur parimi i proporcionalitetit në përdorimin e forcës.
Lexo edhe
Karrige të reja, ftesa e njëjtë ! Rama këmbëngul për dialog me protestuesit
U plagos në sy gjatë protestës, Erjon Vishkullit i ndërpritet operacioni pas komplikacioneve














