Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës. Policia ka sekuestruar pajisjen DVR, e cila regjistronte pamjet e tri kamerave të sigurisë të instaluara në banesën ku ndodhi krimi, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë material filmik.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se pamjet janë fshirë nga telefoni i djalit të viktimës, Gazmir Fiku, 33 vjeç, i cili është ndaluar nga policia si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e të atit.
Për këtë arsye, Policia e Dibrës ka kërkuar ekspertim kompjuterik të pajisjes DVR, me qëllim rikuperimin e mundshëm të regjistrimeve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Dyshime për konflikt familjar dhe xhelozi
Një nga pistat që po hetohet lidhet me dyshimet për një konflikt familjar, që sipas informacioneve paraprake mund të ketë pasur si shkak xhelozinë ndaj një lidhjeje të dyshuar sentimentale të viktimës.
Në pranga është vënë edhe bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, 57 vjeçe. Policia dyshon se ajo dhe djali i viktimës kanë bashkëpunuar në vrasjen e 61-vjeçarit me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Pas ngjarjes, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se është tentuar të fshihej e vërteta, duke e raportuar vdekjen fillimisht si pasojë të një sulmi nga një ari.
Policia: Dyshohet se vranë 61-vjeçarin në bashkëpunim
Në njoftimin zyrtar, policia bëri të ditur se Gazmir Fiku dhe Sadete Fiku u ndaluan pasi dyshohet se kanë vrarë në bashkëpunim Urim Fikun.
“Gazmir Fiku, djali i të ndjerit Urim Fiku dhe Sadete Fiku, gruaja e viktimës, u ndaluan pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse 61-vjeçarin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gazmir Fiku mësohet se ka punuar për më shumë se një dekadë si supervizor pranë OSHEE-së.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e krimit, ndërsa ekspertimi i pajisjes DVR pritet të ndihmojë në verifikimin e asaj që ka ndodhur brenda banesës.
Lexo edhe
Tronditet Bulqiza! Gruaja dhe djali vranë Urim Fikun, inskenuan sulmin nga ariu














