Studentët në protestë kanë njoftuar një ndryshim në organizimin e tubimeve kundër qeverisë. Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, ata kanë vendosur që protestat kombëtare të zhvillohen dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00.
Protesta e radhës është paralajmëruar për këtë të shtunë, më 7 nëntor, përballë Ministrisë së Arsimit.
Në deklaratën e tyre, studentët thonë se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijon të mos marrë përgjigje nga pushteti. Ata e cilësojnë këtë vendim si hyrjen në një fazë të re organizimi, me synimin për të mbajtur të lartë intensitetin e protestave.
“Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14.00, me një intensitet që nuk mund të injorohet”, thuhet në deklaratë.
Studentët bëjnë të ditur se do të mbështesin edhe protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht se kur do të organizohen ato.
Në mesazhin e tyre, ata paralajmërojnë se protesta do të vijojë dhe se e konsiderojnë betejën për demokraci si një përballje afatgjatë.
“Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura”, përfundojnë studentët në deklaratën e tyre.
Lexo edhe
Ora 08:00, Rama nis ditën me të njëjtën ftesë: Sofra e gurit pret sërish protestuesit për dialog!














