Vdekja e 53-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë, i cili u gjet pa shenja jete në rrethana që fillimisht u lidhën me një sulm të mundshëm nga një ari, po hetohet tashmë edhe në pistën e një vrasjeje të mundshme.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë këqyrjes së trupit janë konstatuar shenja që kanë ngritur dyshime te grupi hetimor. Bëhet fjalë për një shenjë të dyshuar arme zjarri, si dhe dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet prerës, i cili mund të jetë sëpatë.
Ndërkohë, mësohet se hetuesit kanë konstatuar edhe mospërputhje mes dëshmive të dhëna nga djali i viktimës dhe bashkëshortja e tij. Kjo ka shtuar dyshimet dhe ka bërë që rrethanat e ngjarjes të verifikohen më në thellësi.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me përfshirjen e mundshme të familjarëve të viktimës në ngjarje. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për autorësinë e mundshme dhe as për rrethanat e sakta të vdekjes.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa pritet që ekspertiza mjekoligjore dhe veprimet e tjera hetimore të përcaktojnë nëse 53-vjeçari është vrarë dhe çfarë ka ndodhur konkretisht.
Pista e sulmit nga kafsha e egër, e cila u përmend fillimisht, mbetet për t’u verifikuar përballë gjetjeve të reja të ekspertizës.
Për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë pritet edhe njoftimi zyrtar i Policisë.
lexo edhe
Berisha del nga SPAK: “Ka amnistuar krimin elektoral, herën tjetër do të vij me maskë antidrogë”
Bulqizë/ Humb jetën 53-vjeçari, u sulmua dhe u kafshua nga një ari














