Vdekja misterioze e 60-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës ka marrë një tjetër përmasë. Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë, duke ndaluar bashkëshorten dhe djalin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Fillimisht, familjarët kishin raportuar se Urim Fiku kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër, konkretisht një ari. Por hetimet e kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, zbuluan një tjetër skenar.
Sipas policisë, nga hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se 60-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri dhe jo nga sulmi i një kafshe të egër, siç ishte raportuar fillimisht.
Në vijim të hetimeve, u bë ndalimi i bashkëshortes së tij, 57 vjeçe,Sadete Fiku., dhe djalit 33-vjeçar, Gazmir Fiku., të dy banues në fshatin Godvi.
Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për vrasjen e Urim Fikut, duke përdorur armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar një pistoletë të modelit 54, së bashku me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, të kryera në bashkëpunim.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Bulqizën.
Lexo edhe
Bulqizë/ Humb jetën 53-vjeçari, u sulmua dhe u kafshua nga një ari














