Marjana Koçeku ka reaguar për protestën, duke theksuar se ajo do të vijojë, por se sfida kryesore tashmë është organizimi dhe përfaqësimi i saj politik.
Sipas saj, protesta duhet të gjejë një formë përfaqësimi që garanton konsensus sa më të gjerë dhe që, përveç mobilizimit në sheshet publike, të përgatitet për të pasur një listë përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë.
Ajo u bën thirrje qytetarëve për solidaritet dhe partive politike, të vjetra e të reja, për mirëkuptim, duke kërkuar që t’i hapin rrugë një organizimi të pavarur dhe legjitim të rinisë.
Koçeku e cilëson këtë si një mundësi për të ndërtuar një përfaqësim të ri politik, të pavarur nga partitë ekzistuese dhe që, sipas saj, do të përfaqësonte në mënyrën më legjitime rininë pas 35 viteve tranzicion.














