Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar me një sërë mesazhesh të publikuara në rrjetet sociale, ku ka folur për transferimin e tij nga burgu, protestat e fundit, marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama dhe drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Veliaj mohon të ketë organizuar apo financuar protestat e studentëve dhe të ashtuquajturve “Flamingo”, duke i cilësuar këto akuza si sajesa dhe duke i krahasuar me propagandën e kohës së Enver Hoxhës.
“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. Më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia”, shkruan Veliaj.
Ai ka reaguar edhe ndaj transferimit të tij nga burgu, duke e cilësuar atë si një përpjekje për ta larguar nga familja dhe për ta intimiduar politikisht. Veliaj thotë se nuk do të përkulet përballë presioneve, pavarësisht se ku do të dërgohet.
“Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem”, shkruan ai, ndërsa hedh akuza ndaj kryeministrit për ndërhyrje në çështjen e tij penale.
Veliaj kundërshton gjithashtu pretendimet për organizimin e protestave nga burgu dhe pyet se si mund të rrëzojë rendin kushtetues një person që ndodhet në qeli. Ai thotë se nuk e intimidon dot askush me akuza të tilla, të cilat i cilëson si sajesa.
Në një tjetër pjesë të reagimit, kryebashkiaku shprehet se nuk do ta delegojë më drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke përmendur mandatin që, sipas tij, i është dhënë nga Gjykata Kushtetuese dhe qytetarët e Tiranës.
Veliaj pretendon se gjatë 18 muajve të delegimit të drejtimit të Bashkisë nuk janë realizuar investime të reja, nuk janë mbjellë pemë dhe nuk janë marrë vendime të rëndësishme. Ai përmend gjithashtu bllokimin e projekteve të financuara nga institucionet ndërkombëtare dhe thotë se, pas rikthimit të tij, janë zhbllokuar gjashtë shkolla dhe janë dhënë mbi 1,500 kredi të buta.
“Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj dhe më i përgjegjshëm”, shprehet Veliaj, duke theksuar se nuk do të pranojë më delegimin e drejtimit të institucionit.
Ai vlerëson disa prej drejtuesve të Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Socialiste, ndërsa shprehet se promovimi i të rinjve brenda PS-së është rruga për forcimin e partisë.
“PS nuk rritet nga skorjet që hedh Saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS”, shkruan Veliaj.
Në këtë kontekst, ai përmend edhe Arbrin, duke thënë se nuk është djalë i keq, por se nuk do ta delegojë më drejtimin e Bashkisë.
Veliaj ka komentuar gjithashtu një takim me Plarent Ndrecën, të cilin e cilëson si mik dhe avokat. Ai thotë se gjatë 20 muajve nuk i është lejuar të ketë këshilltarë të tjerë dhe se në këto kushte është mbështetur te njerëzit që i kanë qëndruar pranë.
Në fund, Veliaj tregon se takimi me Ndrecën ka përfunduar në mesnatë dhe se ai i ka sjellë dy libra. Kryebashkiaku thotë se e ka falënderuar dhe i ka uruar të mira, por thekson se nuk pranon afera të paligjshme.
Reagimi i Veliajt vjen në një moment tensionesh politike, ndërsa ai ndodhet në burg dhe debati për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, protestat dhe përfaqësimin politik vijon të jetë në qendër të zhvillimeve.
Reklame














