Një sasi prej mbi 1 kilogrami kokainë është zbuluar në pikën kufitare të Muriqanit, gjatë kontrollit të një furgoni që po hynte në Shqipëri. Në pranga ka përfunduar drejtuesi i automjetit, një 56-vjeçar banues në Durrës.

Sipas Policisë, lënda e dyshuar narkotike ishte fshehur brenda një çante në automjetin tip “Renault”, që drejtohej nga shtetasi me inicialet Arben Hysaj.

Reklame

Kontrolli i detajuar u krye në vijën e dytë, pasi automjeti u përzgjodh për verifikim bazuar në analizën e riskut nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe autoritetet doganore.

Gjatë kontrollit, brenda çantës u gjet një pako e mbështjellë me material ngjitës, ku ndodhej kokaina me peshë mbi 1 kilogram.

Operacioni u kodua “Bashkëpunimi” dhe u zhvillua nga Policia Kufitare e Muriqanit në koordinim me autoritetet doganore. Në vijim, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër arrestuan 56-vjeçarin.

Lënda e dyshuar narkotike dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale. Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Reklame