Pamje të rënda janë regjistruar në pallatin e banimit në Elbasan, ku një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar dëme të mëdha strukturore. Tre kate të godinës janë bashkuar me njëri-tjetrin, ndërsa vlerësimet paraprake të specialistëve flasin për një ndërtesë të pabanueshme, që mund të duhet të shembet.
Pas ngjarjes, autoritetet kanë evakuuar banorët, pasi godina konsiderohet e pasigurt për të jetuar. Verifikimet paraprake të specialistëve të inxhinierisë së ndërtimit tregojnë për dëmtime shumë të rënda në strukturën e pallatit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e goditjes, me pjesë të ndërtesës të deformuara rëndë. Megjithatë, vendimi përfundimtar mbi gjendjen e objektit dhe ndërhyrjen që do të kryhet pritet të merret pas ekspertizës së plotë teknike.
Një viktimë dhe tetë të lënduar
Shpërthimi ka shkaktuar edhe pasoja tragjike në njerëz. Një grua 83-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa tetë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mes të lënduarve ndodhet edhe një fëmijë. Të tetë personat po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Ndërkohë, shkaku i shpërthimit mbetet ende për t’u përcaktuar. Autoritetet pritet të vijojnë hetimet dhe verifikimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme.
Lexo edhe
“Tërmet” politik në SHBA, demokratët marrin Kongresin dhe i japin goditje Trumpit!
E kërkonin në Itali për një vrasje të vitit 2000, policia i troket në derë në Vlorë! (EMRI)













