ELBASAN – Një grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit është raportuar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” të Elbasanit. Disa persona të paidentifikuar janë futur në një banesë dhe kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është njoftuar rreth orës 04:05 nga banori, shtetasi me inicialet L. Z.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e uniformave blu, autorët janë larguar drejt një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet me të cilat dyshohet se kanë lëvizur.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë, si dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë, vijon ndjekja për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në grabitje. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Deri tani, Policia nuk ka bërë të ditur nëse ka persona të identifikuar apo të arrestuar lidhur me ngjarjen.
Lexo edhe
Policia në Shkodër nuk fal! 1006 gjoba në një javë, pezullohen 8 patenta
Derbi me masa të rrepta sigurie/ Policia bllokon rrugët nga ora 16:00, ja ku do të kalojnë tifozët














