Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Gjatë një jave monitorimi, janë vendosur 1006 masa administrative, ndërsa 6 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht dhe 8 leje drejtimi janë pezulluar.
Sipas njoftimit të policisë, kontrollet janë përqendruar te drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit, përfshirë ata që drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit, pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë parakalime të gabuara.
Parkimi i gabuar dhe shpejtësia, shkeljet më të shpeshta
Nga 1006 masat administrative të vendosura gjatë kësaj periudhe, 494 janë për parkim ose qëndrim të gabuar, ndërsa 193 për tejkalim të normave të shpejtësisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Policia Rrugore e Shkodrës, masat e tjera ndahen si më poshtë:
- 41 masa për parakalime të gabuara;
- 6 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit;
- 20 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- 3 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
- 20 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
- 7 masa për qarkullim me xhama të errësuar;
- 222 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Ndërkohë, 6 shtetas janë proceduar penalisht për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa 8 leje drejtimi janë pezulluar.
Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset
Policia Rrugore bën me dije se monitorimi do të vijojë në rrugët urbane, interurbane dhe rurale të qarkut të Shkodrës, me synim evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.
Qytetarët ftohen të denoncojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.
Lexo edhe
Modifikonin makinat e lojrave të fatit, policia zbulon magazinën, në pranga dy persona (Emrat)
La Francën për uniformën e policisë, cila është historia e 25-vjeçares nga Shkodra













