Tre personat e arrestuar në kuadër të operacionit policor “Detajet” në Lezhë, të dyshuar se po përgatiteshin të kryenin një vrasje, do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Elden Tarjan, Kristian Ymerin, i njohur me nofkën “Shkambi”, dhe Vinçens Pirolin.
Seanca gjyqësore u zhvillua këtë të hënë nën masa të shtuara sigurie dhe zgjati rreth 90 minuta. Sipas burimeve, tre të dyshuarit nuk kanë dhënë deklarime para gjykatës.
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Përveç dyshimeve për atentatin e parandaluar në Lezhë, ndaj tre të arrestuarve po verifikohen edhe dyshime për përfshirje në tri ngjarje të tjera të rënda kriminale, të dyshuara si vrasje me pagesë.
Sipas burimeve, ata dyshohen për vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, si dhe për dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë.
Vinçens Piroli, 38 vjeç, dyshohet nga hetuesit si ekzekutori kryesor në këto ngjarje. Megjithatë, përfshirja e tij dhe e dy të arrestuarve të tjerë në këto vrasje mbetet objekt hetimi dhe nuk përbën fakt të provuar nga gjykata.
Vinçens Piroli dhe Kristian Ymeri, 34 vjeç, u arrestuan teksa lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi. Sipas të dhënave të bëra publike për operacionin, dy të dyshuarit ishin të armatosur dhe mbanin skafandra.
Ndërsa Elden Tarja, 25 vjeç, dyshohet se do t’i ndihmonte ata të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit të planifikuar.
Gjatë operacionit policor “Detajet”, autoritetet sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, motomjetin dhe një automjet tip “Volkswagen”.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht qëllimin e dyshuar të grupit, si dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me ngjarjet e tjera kriminale që po hetohen.
Lexo edhe
Atentati ishte planifikuar të bëhej në mëngjes/ Tre të arrestuarit në Lezhë nuk gjetën objektivin
Kush ishte shënjestra në Lezhë? Fotoja e shtepisë që u gjet në telefon dhe dyshimet që po hetohen














