Violand Braçellari, 43-vjeçari i dyshuar për vrasjen me armë të efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri, gjatë ngjarjes së rëndë në Maliq, ka dalë nga rreziku për jetën.
Pas trajtimit mjekësor, ai është transferuar nga Spitali Ushtarak në spitalin e burgut pranë Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, ku do të qëndrojë nën masa të rrepta sigurie.
Sipas procedurave, pas përfundimit të trajtimit mjekësor, 43-vjeçari pritet të transferohet në një burg të sigurisë së lartë, ku po shqyrtohen si opsione burgu i Drenovës ose ai i Peqinit.
Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vijon hetimet ndaj tij për një sërë veprash të rënda penale.
Sipas organit të akuzës, Braçellari hetohet për veprat penale:
- vrasje për shkak të cilësive të veçanta;
- vrasje e mbetur në tentativë;
- mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit;
- kundërshtim me armë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura, 43-vjeçari rrezikon dënimin maksimal të parashikuar nga Kodi Penal, përfshirë edhe burgimin e përjetshëm.
Dosja e plotë/ Denoncimi: Si u zbulua Violand Braçellari dhe si u ekzekutua oficeri Enea Mekolli














