Beteja juridike për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vijon edhe pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë.
Palët po përgatiten për fazën e apelimit, ndërsa 27 nëntori është afati i përcaktuar për të njoftuar nëse do të kundërshtojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Çështja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ndodhet në një fazë të rëndësishme procedurale, teksa ekipet e Mbrojtjes dhe palët e tjera përgatiten për hapat e mëtejshëm ligjorë.
Fillimisht, njoftimi për apelim duhej të dorëzohej deri në mesin e tetorit, por Paneli i Apelit vendosi ta shtyjë afatin deri më 27 nëntor, pas një kërkese të paraqitur nga Mbrojtja.
Shtyrja u argumentua me kompleksitetin e çështjes dhe faktin se ekipet mbrojtëse nuk e kishin marrë ende aktgjykimin e përkthyer në gjuhën shqipe, shkruan klankosova.
Sipas një përgjigjeje të Dhomave të Specializuara për RTK-në, deri në momentin e raportimit nuk kishte parashtresa publike që të tregonin se ndonjëra prej palëve kishte dorëzuar njoftimin për apelim apo kishte përcaktuar pjesët e aktgjykimit që synon të kundërshtojë.
Çfarë mund të shqyrtohet në Apel?
Procedura formale e apelimit nis me dorëzimin e njoftimit për apelim. Paneli i Apelit mund të shqyrtojë pretendime për gabime në zbatimin e ligjit, në vlerësimin e fakteve apo në caktimin e dënimit.
Gjatë kësaj faze, palët mund të kërkojnë edhe paraqitjen e provave shtesë, duke përcaktuar gjetjet faktike të Trupit Gjykues me të cilat lidhen ato prova.
Në përfundim të shqyrtimit, Paneli i Apelit ka disa mundësi vendimmarrjeje: të lërë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, ta rrëzojë ose ta ndryshojë atë. Në rrethana të përshtatshme, mund të urdhërojë gjithashtu rigjykimin e çështjes nga Trupi Gjykues.
Ndërkohë, në rastet kur kundërshtimi lidhet vetëm me masën e dënimit, procedura deri në marrjen e një vendimi mund të përfundojë brenda një afati më të shkurtër.
Afati i 27 nëntorit pritet të jetë një moment kyç për ecurinë e mëtejshme të procesit, pasi do të përcaktojë nëse dhe në çfarë aspektesh aktgjykimi i shkallës së parë do të kundërshtohet në instancën e Apelit.
Lexo edhe
Dënimi i ish krerëve të UÇK-së, Kuvendi i Kosovës miraton në parim ndryshimet për Gjykatën Speciale
Hamza refuzon ofertën e Kurtit/ “Nuk pranojmë që UÇK të bëhet objekt transaksioni”














