Një mega-operacion antidrogë është finalizuar në Sarandë pas një hetimi dy-mujor për shitjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.
Plot 20 persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe një person është proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar 72 doza kokaine, 80 doza kanabisi, dy pistoleta, katër automjete, 19 telefona celularë dhe një shumë parash në lekë dhe euro.
Operacioni i koduar “Vjeshta” është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit.
Në pranga kanë rënë Arlind Osmani, Feliks Filija, Medi Myftaraj, Nikolin Rakipi, Altin Arapi, i njohur edhe si Altin Demiri, Klerjan Popshini, Redian Arizi, Erion Dido, Dhimitër Terolli, Xhuliano Mejdi, Vasil Kaci, Flatun Lalaj, Bledar Kovaci, Shefqet Bezhani, Andrea Babi, Nazif Refitaj, Elvis Demcaj, Denis Saliaj dhe Korado Omeri.
Duhet theksuar se mes të arrestuarve, sipas burimeve Altin Arapi është furnizuesi i lëndës narkotike.
Arapi njihet ndryshe me pseudonimin “Boraqi”.
Ndërkohë, Fabjo Berhamaj dhe Stilian Rakipi janë shpallur në kërkim, ndërsa Ermir Nasi po procedohet në gjendje të lirë.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 72 doza kokaine dhe 80 doza kanabisi, të dyshuara se ishin për shitje.
Po ashtu, janë sekuestruar dy pistoleta.
Denis Saliaj dhe Shefqet Bezhani janë kapur me nga një armë zjarri pistoletë.
Në kuadër të operacionit janë marrë edhe katër automjete, 19 aparate celulare dhe një shumë parash në lekë dhe euro, të cilat tashmë janë pjesë e provave materiale të dosjes.
Nga hetimet dyshohet se aktiviteti i shitjes së drogës zhvillohej në Sarandë dhe Ksamil, kryesisht në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe pranë shkollave.
Hetimi kishte nisur rreth dy muaj më parë dhe një pjesë e kësaj dosjeje ishte goditur më 31 korrik, kur u arrestuan në flagrancë Argjend Nanaj, Ardit Cama dhe një person me inicialet K. J. Në atë aksion u sekuestruan edhe 5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, që sipas hetimeve do të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil.
Për 20 personat e arrestuar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në të.
Lexo edhe
Plagosje me hanxhar në Delvinë, 45-vjeçarja dërgohet në spitalin e Sarandës
Goditen shefin e Krimeve në Sarandë, lirohen me detyrim paraqitjeje pronari dhe menaxheri i lokalit














