Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të mërkurë çmimet e reja të karburanteve në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi sot, më 27 maj 2026, duke nisur nga ora 13:30.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin do të jetë 190 lekë për litër, ndërsa me shumicë 178 lekë/litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me jo më shumë se 179 lekë/litër në pakicë dhe 167 lekë/litër në shumicë.
Bordi bën me dije se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, ndërsa në rast shkeljesh është paralajmëruar pezullim aktiviteti.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, ulja e çmimeve nën kufijtë e përcaktuar prej 220 lekësh për naftën dhe 200 lekësh për benzinën bën që akciza të aplikohet në nivel të plotë, pra 100%.















