Një punonjës i Policisë së Shtetit është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Rajonin Tiranë, pasi dyshohet se u përfshi në një aksident rrugor dhe u largua nga vendngjarja.
Sipas burimeve zyrtare, në flagrancë është arrestuar inspektori me iniciale D. G., me detyrë Trupë Shërbimi pranë Njësisë së Ceremonialit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai akuzohet për veprat penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:25, në zonën e njohur si “Rruga e Dibrës” në Tiranë. Si pasojë e përplasjes ka mbetur e lënduar shtetasja me iniciale E. M., e cila është transportuar në Spitalin e Traumës. Mësohet se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas aksidentit, efektivi dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur më vonë nga shërbimet përkatëse në afërsi të Urës së Babrrusë. Gjatë verifikimeve, testi i alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 1.03 mg/l, një nivel mbi normat e lejuara.
Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.














