Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Sipas ministres Klodiana Spahiu, disa persona vijojnë të trajtohen në spital, ndërsa të tjerë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Në Spitalin Universitar të Traumës po marrin aktualisht trajtim një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Sipas informacionit të raportuar nga strukturat spitalore, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar nga i njëjti spital pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë trajtuar persona të lënduar gjatë protestës. Ministria bën me dije se nga ky spital janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues, pasi kanë marrë kujdesin shëndetësor.
Ministrja Klodiana Spahiu theksoi se kujdesi mjekësor u ofrohet të gjithë personave pa dallim, në bazë të gjendjes klinike dhe nevojave të secilit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, situata po monitorohet në vijimësi, në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore. Bilanci i personave të trajtuar dhe informacioni mbi gjendjen e tyre do të përditësohen në bazë të të dhënave të verifikuara.
Ministria falënderoi ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë për angazhimin gjatë situatës së krijuar nga protesta.
Lexo edhe
Ministri Ervin Demo reagon për protestën: Policia dhe protestuesit nën hetim














