Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të pronës publike e private gjatë protestave në Tiranë. Ai akuzon kundërshtarët politikë se po shfrytëzojnë emrin e studentëve për të nxitur kaos, ndërsa paralajmëron personat që kanë kryer zjarrvënie dhe shkatërrime se do të përballen me përgjegjësi ligjore.

Në reagimin e tij, Demo pretendon se pas akteve të dhunshme qëndrojnë interesa politike dhe persona të tjerë, përfshirë aktorë të huaj që, sipas tij, janë përfshirë përmes rrjeteve sociale. Për këto pretendime, ministri nuk paraqiti në deklaratën e publikuar prova konkrete.

Reklame

“Politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private”, shprehet Demo.

Ministri iu drejtua edhe studentëve të përfshirë në protestë, veçanërisht atyre të Mjekësisë, duke deklaruar se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat e tyre dhe se dialogu duhet të jetë rruga për zgjidhjen e problemeve.

“Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju!”, deklaron Demo.

Ai përmendi edhe Paktin për Universitetin, duke theksuar se ky proces ka lindur pas protestave të studentëve dhe mund të plotësohet me kërkesa të reja përmes dialogut.

“Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit”, u shpreh ministri, duke pretenduar se dhuna nuk lidhet me kërkesat e studentëve.

Paralajmërimi për personat që kanë shkaktuar dëme

Një pjesë të rëndësishme të reagimit, Demo ia kushtoi personave që, sipas tij, kanë shkaktuar zjarrvënie dhe dëmtime të pronës publike e private. Ai u bëri thirrje të ndalojnë veprimet e tyre dhe paralajmëroi se përgjegjësia individuale para ligjit mbetet e pashmangshme.

“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë”, deklaroi ministri.

Demo shtoi se qeveria nuk do të lejojë që situata të kthehet në një skenar që, sipas tij, synon të rikthejë pasigurinë në vend.

Demo falënderon Policinë e Shtetit

Ministri falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për atë që e cilësoi profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje gjatë përballjes me protestuesit.

Ai iu drejtua gjithashtu qytetarëve të Tiranës, duke u kërkuar durim përballë situatës së krijuar dhe dëmeve të shkaktuara.

Në përfundim, Demo deklaroi se qeveria disponon më shumë informacion sesa mund të bëjë publik në këtë moment dhe se, sipas tij, aktet e dhunshme nuk do ta ndryshojnë drejtimin e vendit.

Reagimi i ministrit vjen në një klimë të tensionuar në kryeqytet, pas përshkallëzimit të protestave dhe raportimeve për zjarre e dëmtime në godina dhe prona publike e private. Pretendimet e tij për organizimin dhe prapavijën e dhunës mbeten deklarata të ministrit, në pritje të çdo informacioni zyrtar që mund t’i konfirmojë.

 

Lexo edhe

Kaos në Tiranë, protestuesit hyjnë në Ministrinë e Financave, zjarr dhe shkatërrime! Gurë drejt policisë, nisin arrestimet

Tensione para Kryeministrisë, gurë dhe autobot uji në protestë

Reklame