Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka bërë të ditur se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së regjistruara sot në Tiranë. Sipas tij, disa prej efektivëve po marrin kujdes mjekësor në Spitalin Ushtarak.
Përmes një reagimi, Demo dënoi dhunën ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për sulme ndaj efektivëve.
“Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”, u shpreh ministri.
Demo vuri theksin edhe te ana njerëzore e efektivëve të lënduar, duke kujtuar se pas çdo uniforme qëndron një person me familjen dhe të afërmit e tij.
“Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, deklaroi ai.
Ministri falënderoi punonjësit e policisë për atë që e cilësoi profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi gjatë përballjes me situatën e krijuar, ndërsa u uroi shërim të shpejtë efektivëve të lënduar.
Deri në këtë reagim, Demo nuk dha detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të efektivëve që po marrin trajtim mjekësor.
Lexo edhe
Ministri Ervin Demo reagon për protestën: Policia dhe protestuesit nën hetim
Demo “kërcënon” protestuesit: Përgjegjësia para ligjit nuk harron













