Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke dënuar atë që e cilëson si dhunë policore ndaj të rinjve.
Përmes një deklarate, Bardhi u shpreh se studentët që protestojnë për një të ardhme më të mirë meritojnë respekt dhe përgjigje ndaj kërkesave të tyre, jo represion dhe frikësim.
“Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim!”, deklaroi Bardhi.
Ai theksoi se, sipas tij, përdorimi i dhunës ndaj të rinjve dëshmon frikën e pushtetit përballë zërit të tyre dhe kërkesës për ndryshim.
“Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Bardhi paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, përpjekjet për të frikësuar studentët nuk do ta ndalin protestën dhe kërkesat e tyre.
“Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet!”, shkroi ai.
Në përfundim të reagimit, Bardhi e cilësoi çdo akt dhune ndaj studentëve si një akt kundër së ardhmes së vendit, duke argumentuar se një pushtet që zgjedh dhunën përballë rinisë rrezikon të humbasë legjitimitetin.
Reagimi i tij vjen në një moment tensionesh gjatë protestës, ku janë raportuar përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe shoqërime të disa prej pjesëmarrësve.
Lexo edhe:














