Ervin Salianji ka hedhur akuza të forta ndaj lidershipit të opozitës, duke ngritur dyshime për një “pakt të heshtur” mes Edi Rama dhe Sali Berisha.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji thotë se opozita ka humbur rolin e saj si alternativë reale ndaj qeverisë dhe është kthyer, sipas tij, në një “oksigjen politik” për kryeministrin Rama në momentet më të vështira.
Ai shprehet se shqiptarët po mbahen peng nga një marrëveshje mbijetese politike, ku “Rama mban pushtetin dhe Berisha mban partinë”, ndërsa qytetarëve u mohohet e drejta për zgjedhje reale politike.
Në reagimin e tij, Salianji thekson se bashkimi i votave mes qeverisë dhe opozitës në momente kyçe nuk përbën përballje politike, por “mbijetesë të ndërsjellë”.
Sipas tij, situata aktuale politike po dëmton standardet demokratike dhe procesin e integrimit europian, duke e cilësuar këtë një “mëkat ndaj shoqërisë dhe demokratëve”.
Në fund të reagimit, Salianji ngrit pyetjen nëse, sipas tij, kryeministri Rama përfiton “oksigjen politik” sa herë ndodhet në vështirësi nga lidershipi i opozitës.
Reagimi i Salianjit:
“Në vend që opozita të ishte alternativa morale dhe politike përballë pushtetit, po shohim një marrëveshje të heshtur mbijetese: Rama mban pushtetin, Berisha mban partinë. Dhe në fund humbësi i vetëm mbeten qytetarët shqiptarë, të cilëve po u merret e drejta për të zgjedhur mes alternativash të vërteta.
Berisha voton për Ramën, Rama garanton pa garë Berishën nesër dhe qytetarëve u hiqet çdo mundësi reale zgjedhjeje.
Kur opozita bashkon votat me qeverinë pikërisht në ditët më të vështira të saj, nuk kemi më përballje politike, por mbijetesë të ndërsjellë.
Të bashkosh votat me Ramën dy javë rresht, në momentin kur qeveria është nën presion për korrupsionin, zgjedhjet, standardet demokratike dhe integrimin europian, është mëkat ndaj shoqërisë dhe tradhti ndaj demokratëve që kanë sakrifikuar për të rrëzuar këtë regjim.
Kur narrativa është se Shqipëria jeton në regjim dhe se integrimi europian duhet të bazohet mbi meritë, atëherë pyetja është e thjeshtë:çfarë merite ka Edi Rama që sa herë ndodhet në zgrip, merr oksigjen politik nga Sali Berisha?”, shkruan Salianji.














