Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar ofertën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara në të njëjtën seancë. Hamza ka kundërshtuar që ligji për Specialen të përdoret si pjesë e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

Pas propozimit të Kurtit që fillimisht të votohet ligji për Dhomat e Specializuara dhe më pas, po sonte, të votohet presidenti i ri i Kosovës, Hamza e ka cilësuar ofertën si jo serioze.

Reklame

Sipas kreut të PDK-së, çështja e Dhomave të Specializuara nuk duhet të shndërrohet në një marrëveshje shkëmbimi për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Nuk ka mundësi të kesh marrëveshje duke dashur gjithçka për vete. Nuk ka mundësi dhe nuk është e duhura. Nuk është balancë mes pushteteve”, deklaroi Hamza.

Ai tha se PDK ka qenë gjatë gjithë procesit e hapur për dialog dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën institucionale.

Hamza theksoi se partia e tij nuk pranon që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të bëhet pjesë e një pazari politik.

“Nuk mundesh të imponosh dhe nuk pranojmë që UÇK të bëhet objekt i transaksionit, çfarëdo qoftë”, u shpreh ai.

Hamza e cilësoi ofertën e dytë të Kurtit si një përpjekje për ta kthyer çështjen e Speciales në “pazare të minutave të fundit”.

“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit”, tha kreu i PDK-së.

Sipas tij, synimi i Kurtit është të sigurojë kontroll më të madh mbi institucionet kryesore të Kosovës.

“Qëllimi është si ta përdorë ligjin thjesht dhe direkt për shantazh për ta arritur qëllimin politik për ta pasur një president politik dhe për ta përmbyllur plotësisht kapjen e institucioneve të shtetit”, deklaroi Hamza.

Kreu i PDK-së bëri të ditur se komunikimin e fundit me Kurtin e ka pasur gjatë mesditës. Sipas Hamzës, ai i ka komunikuar kryeministrit se për PDK-në fillimisht duhet të votohet ligji për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë dhe vetëm më pas të diskutohet për zgjedhjen e presidentit.

“Duhet të kalojë ligji leximin e dytë dhe pastaj mund të flasim dhe të kemi marrëveshje për presidentin”, tha Hamza, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së.

Ai e kundërshtoi idenë që votimi i ligjit të lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen për një kandidat presidencial.

“A kësaj i thonë marrëveshje? Kësaj i thonë një ligj për një çështje madhore, kombëtare, po ta votoj që ky është presidenti?”, u shpreh Hamza.

Përplasja mes LVV-së dhe PDK-së vjen në një moment kritik për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa palët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për rendin e veprimeve që duhet të ndërmerren në Kuvend.

Lexo edhe

Kurti i bën ofertë PDK-së. Votojmë specialen, pastaj presidentin, Konjufcën ose Rushitin

“Kurti e futi në kurth edhe ligjin, edhe vendin”. Haradinaj: Po e çon Kosovën në zgjedhje

Reklame