Tiana Krasniqi, një 31-vjeçare me origjinë shqiptare, ka reaguar me tone të forta pas ekzekutimit të bashkëshortit të saj në shtetin e Teksasit, duke akuzuar autoritetet për trajtim çnjerëzor gjatë procedurës së dënimit me vdekje.
James Broadnax, 37 vjeç, u ekzekutua të enjten në mbrëmje me injeksion vdekjeprurës në burgun shtetëror të Huntsville, pasi ishte dënuar me vdekje për vrasjen e dy producentëve muzikorë në vitin 2008.
Sipas mediave amerikane, momentet e fundit të Broadnax u shoqëruan me britmat “Të dua” nga bashkëshortja e tij, Tiana Krasniqi, e cila ndodhej e pranishme gjatë ekzekutimit.
Pas ngjarjes, shqiptarja publikoi një reagim emocional në TikTok, ku pretendon se bashkëshorti i saj pësoi vuajtje të mëdha gjatë injeksionit fatal.
“Ata vranë burrin tim. Vuajti aq keq nga injeksioni vdekjeprurës saqë i doli gjak nga hunda dhe mavijosje në qafë. Familjet qeshën ndërsa shikonin. A është kjo drejtësi?”, shkroi ajo.
Sipas dosjes penale, prokurorët thanë se Broadnax dhe kushëriri i tij Demarius Cummings qëlluan për vdekje dhe grabitën Stephen Swan dhe Matthew Butler në parkingun e studios së regjistrimit në Garland. Cummings u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.
Vetëm pak ditë para ekzekutimit, Broadnax ishte martuar me Tianën në një ceremoni të zhvilluar në Njësinë Allan B. Polunsky në Teksas.
Rasti ka rikthyer debatin mbi dënimin me vdekje në SHBA dhe procedurat e ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës.















