TIRANË – Pas lançimit nga kryeministri Edi Rama të platformës “Pasqyrë Albania”, Partia Demokratike pritet të prezantojë një tjetër platformë të re, të quajtur “Agora PD”.

Platforma do të prezantohet të enjten, më 27 gusht, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur nga kryetari i saj, Sali Berisha.

Reklame

Sipas dokumentit të strategjisë së re, “Agora PD” synon të shërbejë si një sistem operacional i Partisë Demokratike, duke bashkuar komunikimin, organizimin, koordinimin dhe angazhimin qytetar në një platformë të vetme.

Çfarë synon “Agora PD”?

Platforma do të përdoret për të koordinuar komunikimin politik të demokratëve në qendër dhe në degët lokale.

Sipas dokumentit, çdo ditë do të ofrohen:

  • mesazhet kryesore politike;
  • pikat kryesore të diskutimeve;
  • rekomandime për komunikimin;
  • materiale zyrtare;
  • koordinim nga qendra drejt degëve;
  • orientime të përbashkëta për aktivitetin politik.

Një tjetër element i platformës do të jetë evidentimi i kontributit të anëtarëve dhe funksionarëve të PD-së.

Në dokument thuhet se angazhimi organizativ dhe publik do të regjistrohet në mënyrë të strukturuar, me synimin që puna dhe kontributi i anëtarëve të marrin vlerësimin përkatës.

PD do të monitorojë rrjetet sociale dhe shqetësimet e qytetarëve

Një pjesë e rëndësishme e “Agora PD” do të jetë edhe monitorimi i rrjeteve sociale dhe mediave.

Partia Demokratike synon të analizojë në kohë reale shqetësimet që qytetarët shprehin online dhe t’i përdorë ato në përcaktimin e axhendës politike.

Qëllimi është që problemet e artikuluara nga qytetarët të identifikohen, të analizohen dhe të kthehen në pjesë të komunikimit dhe aktivitetit të opozitës.

Gara e platformave mes Ramës dhe Berishës

Lëvizja e Partisë Demokratike vjen vetëm pak ditë pasi Edi Rama prezantoi “Pasqyrë Albania”, një platformë që synon mbledhjen dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve.

Platforma e qeverisë parashikon përdorimin e mekanizmave “Flamingo Albania” dhe “Radar”, për mbledhjen e shqetësimeve dhe ndjekjen e mënyrës se si trajtohen ato nga institucionet.

Në këtë mënyrë, dy forcat kryesore politike po paraqesin modele të reja për komunikimin me qytetarët dhe ndjekjen e shqetësimeve të tyre.

Për PD-në, “Agora” synon gjithashtu të përmirësojë organizimin në territor dhe koordinimin e strukturave, në një kohë kur zgjedhjet vendore të ardhshme janë më pak se një vit larg.

Prezantimi i platformës pritet të bëhet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së më 27 gusht, ku do të diskutohet edhe strategjia e re e komunikimit dhe organizimit të partisë.

Lexo edhe:

‘Pasqyrë Albania’, Rama: Qytetarët do t’i ndjekin ankesat në kohë reale, do dihet kush i mban peng! Ministrat prezantojnë prioritetet

Pas takimeve në Pogradec, Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë të PS

Reklame