Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma Reforma Reale kanë reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së banorëve në Zvërnec, duke dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve dhe duke ngritur akuza ndaj institucioneve shtetërore.

Në deklaratën e tyre, dy subjektet politike shprehen se nuk janë të befasuara nga sjellja e Policisë së Shtetit, të cilën e konsiderojnë të politizuar dhe në shërbim të pushtetit.

Reklame

Sipas reagimit, dhuna e ushtruar në një pronë shtetërore që, sipas tyre, është rrethuar dhe trajtuar si kantier ndërtimi për një projekt privat, përbën shkelje të rëndë të ligjit. Ata theksojnë se pasuritë publike, si bregdeti dhe hapësirat e tjera shtetërore, nuk mund të kufizohen apo të mbyllen për qytetarët.

“Pasuritë publike u përkasin të gjithë qytetarëve dhe nuk mund të rrethohen me justifikimin e zhvillimit të projekteve private”, thuhet në deklaratë.

BLD dhe Nisma Reforma Reale shprehen se dokumentacioni që paraqet prona të caktuara si private nuk mund të përdoret për të justifikuar, sipas tyre, procesin e tjetërsimit të pasurive publike.

Ata deklarojnë solidaritet me banorët dhe qytetarët që kundërshtojnë investimet për të cilat, sipas tyre, mungojnë transparenca dhe llogaridhënia, ndërsa e cilësojnë pjesëmarrjen në protestë si dëshmi të angazhimit qytetar për mbrojtjen e interesit publik.

Në fund të reagimit, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma Reforma Reale u bëjnë thirrje qytetarëve që të reagojnë me mjete demokratike dhe ligjore ndaj çdo rasti që, sipas tyre, cenon pasuritë publike dhe interesin kombëtar.

Reklame