Thirrjet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së kanë jehuar sot edhe në Vjenë, ku dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në sheshin Heldenplatz, në një protestë kundër aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Protestuesit kanë mbajtur flamujt kombëtarë shqiptarë dhe flamujt e UÇK-së, ndërsa kanë përcjellë mesazhin “Liri për çlirimtarët”.
Gjatë tubimit janë dëgjuar edhe thirrjet “Jo në emrin tim”, “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”.
Berisha: Nuk do të heshtim
Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isë Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha e përshkroi tubimin si një shprehje të dhimbjes, krenarisë dhe ndërgjegjes kombëtare.
Ai deklaroi se shqiptarët, sipas tij, nuk do të heshtin për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre.
“Sot na ka mbledhur krenaria, dhimbja dhe ndërgjegjja jonë kombëtare. Nuk do të heshtim për dëshmorët tanë, nuk do të heshtim për veteranët tanë, nuk do të heshtim për familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se nuk do të heshtin edhe kur, sipas tij, vihet në pikëpyetje lufta e UÇK-së.
Protestat e diasporës
Tubimi në Vjenë vjen në kuadër të mobilizimeve të diasporës shqiptare pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta dhe tubime në mbështetje të tyre janë zhvilluar edhe në vende të tjera europiane, si dhe në Kanada.
Në qendër të protestave qëndron kundërshtimi ndaj vendimit gjyqësor dhe kërkesa e protestuesve për mbështetje ndaj ish-krerëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Lexo edhe:
Protesta për ish-krerët e UÇK-së/ Prishtina mbushet për të tretën natë, 4 kërkesa për Specialen















