TIRANË – Pas takimeve dyditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë sërish drejtuesit e Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar.

Mbledhja është parashikuar të zhvillohet të premten, në orën 17:30, në selinë e Partisë Socialiste, ku pritet të marrin pjesë drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Reklame

Takimi vjen vetëm pak ditë pas diskutimeve me dyer të mbyllura në Pogradec, ku në fokus ishte mënyra se si qeveria dhe Partia Socialiste do t’u përgjigjen më mirë shqetësimeve dhe problematikave të qytetarëve.

Gjatë takimeve në Pogradec, Rama kërkoi që problemet e qytetarëve të jenë në qendër të axhendës së qeverisjes. Kryeministri u ka kërkuar ministrave që çdo muaj të ndjekin personalisht punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesve politikë u ka kërkuar më shumë prani në terren.

“Besa” dhe “Prania Besnike”, dokumentet e qasjes së re

Partia Socialiste e ka përfshirë këtë qasje të re në dy dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të cilat synojnë forcimin e lidhjes mes strukturave të PS-së, qeverisë dhe qytetarëve.

Në Pogradec u prezantua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila do të shërbejë për mbledhjen dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve.

Synimi është që problematikat të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre dhe në çfarë faze është trajtimi.

Platforma parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave:

  • “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve;
  • “Radar”, që do të ndjekë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Gjatë takimeve në Pogradec, ministrat zhvilluan gjithashtu një analizë të punës së tyre dhe prezantuan prioritetet për sektorët që drejtojnë.

Mbledhja e së premtes në selinë e PS-së pritet të jetë një tjetër hap në zbatimin e kësaj qasjeje, me fokus te kontrolli i administratës, prania në territor dhe reagimi ndaj problemeve të qytetarëve.

Lexo edhe:

Rama pas takimeve në Pogradec: “Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari”

‘Pasqyrë Albania’, Rama: Qytetarët do t’i ndjekin ankesat në kohë reale, do dihet kush i mban peng! Ministrat prezantojnë prioritetet

Reklame