Pas takimit maratonë me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet dhe krerët e komisioneve parlamentare, kryeministri Edi Rama rikthehet këtë të hënë në Pogradec, këtë herë për të mbledhur ministrat.
Takimi zhvillohet në formatin e një “retreat”, një mbledhje informale ku ministrat pritet të raportojnë për punën e bërë deri tani dhe të diskutojnë prioritetet e vitit të dytë të mandatit të katërt qeverisës.
Takime të tilla Rama i ka zhvilluar edhe në nisje të sezoneve të reja politike, pas përfundimit të pushimeve verore.
Një ditë më parë, kryeministri zhvilloi një takim që zgjati rreth 7 orë me drejtuesit politikë socialistë. Në fokus ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të prezantuara nga Rama në fund të korrikut, si dhe platforma e re “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës qeveria synon të ndjekë në kohë reale kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Pas takimeve në Pogradec, në ditët e para të shtatorit pritet edhe mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Kjo mbledhje merr rëndësi edhe për faktin se në të kaluarën Rama e ka përdorur Asamblenë për të paralajmëruar ndryshime në qeveri.
Takimet vijnë pas një sezoni politik të vështirë për mazhorancën, të shoqëruar edhe me protestat e opozitës dhe qytetarëve pranë Kryeministrisë, që kanë vijuar për afro tre muaj.
Lexo edhe:
78-vjeçari priti 5 orë për Ramën, më në fund e takon dhe i bën një kërkesë që prek gjithë fshatin















