Një ngjarje tragjike ka tronditur zemrën e Manhattan-it në New York, ku një grua me origjinë shqiptare humbi jetën pasi ra në një pusetë mirëmbajtjeje të lënë të hapur në zonën e Fifth Avenue.

Viktima është identifikuar si Donika Gocaj, 56 vjeçe, banuese në Briarcliff Manor, New York. Sipas autoriteteve amerikane, ajo u gjet pa ndjenja në fund të një pusetë rreth tre metra të thellë, pak para mesnatës së të hënës.

Reklame

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe transportimit me urgjencë në spital, mjekët konfirmuan se 56-vjeçarja nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Dëshmitarët në vendngjarje raportuan momente tronditëse, duke treguar se dëgjuan britma për ndihmë, ndërsa gruaja përsëriste: “Po vdes”.

Ndërkohë, kompania energjetike Con Edison deklaroi se nga verifikimi i kamerave të sigurisë dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur nga një kamion vetëm pak minuta përpara incidentit fatal.

“Rreth 12 minuta më vonë, personi i përfshirë në incident parkoi automjetin pranë zonës”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë për mediat amerikane.

Sipas Con Edison, raste të tilla janë të rralla, por automjetet e rënda mund të shkaktojnë zhvendosjen e kapakëve të puseteve.

Familjarët e Donika Gocajt janë shprehur të tronditur nga tragjedia, duke theksuar se është e paimagjinueshme që një ngjarje e tillë të ndodhë në një nga zonat më të frekuentuara dhe turistike të New York-ut.

Reklame