Aksidentet rrugore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të lehtë gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, ndërsa sjellja e drejtuesve të mjeteve vijon të mbetet faktori kryesor që çon në ngjarje të rënda në trafik.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, vetëm gjatë muajit prill janë regjistruar 132 aksidente rrugore, ku 194 persona kanë mbetur të vrarë, të plagosur ose të aksidentuar.
Raporti tregon se gjatë periudhës janar-prill 2026, numri i aksidenteve është rritur me 0,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një kthesë pas një periudhe me tendencë rënëse.
Të dhënat nxjerrin në pah se 89,4% e aksidenteve të regjistruara në muajin prill kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, duke konfirmuar se faktori njerëzor mbetet problemi kryesor në sigurinë rrugore.
Grupmosha 25-34 vjeç rezulton më problematikja, pasi përfshihet në 27,3% të totalit të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.
Sa i përket ditëve të javës, më shumë aksidente janë regjistruar të mërkurën dhe të premten, me nga 16,7% secila, ndërsa dita me më pak aksidente rezulton e enjtja, me 9,8%.
Edhe oraret e mbrëmjes vijojnë të jenë më problematiket në qarkullim. Intervali 19:00-24:00 përbën 30,3% të totalit të aksidenteve rrugore të regjistruara.
Pas një sërë aksidentesh të rënda në vend, autoritetet kanë propozuar ndryshime në Kodin Rrugor, duke synuar ashpërsimin e masave ndaj shkelësve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.















