Një ngjarje e rëndë dhe e mbushur me mister ka tronditur Sithonia, në rajonin turistik të Halkidiki, pas zbulimit të eshtrave njerëzore në një liqen artificial brenda një kompleksi hotelier.

Zbulimi u bë më 3 mars gjatë punimeve për pastrimin e zonës, kur punëtorët hasën në mbetje njerëzore dhe njoftuan menjëherë autoritetet. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një person të vetëm, por ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar një të vërtetë edhe më tronditëse.

Reklame

Sipas analizave, eshtrat i përkasin jo një, por dy individëve të ndryshëm, me moshë të ndryshme, të cilët dyshohet se kanë qëndruar për një kohë të gjatë në atë vend.

Detaji që ka ngritur alarmin dhe ka thelluar misterin është fakti se eshtrat janë gjetur brenda një valixheje, e fshehur në liqenin artificial të hotelit.

Deri më tani, identiteti i viktimave mbetet i panjohur. Burime paraprake sugjerojnë se njëra prej tyre mund të jetë një grua, ndërsa autoritetet greke po vijojnë hetimet intensive për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Reklame