Një ditë pasi Tempull.com raportoi mbi denoncimet dhe informacionet që lidhnin ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, me Ergys Agasin, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sot një deklaratë që prek një prej elementeve të raportuara.
Gjatë fjalës së tij, Berisha pretendoi se Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi takoheshin në lokalin e Jurgen Kolës në Bërzhitë, duke e cilësuar Kolën si “ushtar” të Hysenit në SHISH. Deklarata e tij është raportuar sot edhe nga media të tjera.
Berisha tha se bëhet fjalë për një lokal ku, sipas tij, Hyseni dhe Agasi zhvillonin takimet e tyre.“Jurgen Kola ka pasur lokal në Bërzhitë dhe lokali i tij në Bërzhitë ka qenë një nga lokalet ku kjo bënte takimet me ‘bashkëpunëtorin’ e saj, Ergys Agasi.”
Më tej, kreu i PD-së ngriti pretendimin se kamerat e lokalit mund të jenë fshirë për të zhdukur gjurmë të takimeve dhe u bëri thirrje hetuesve që ta verifikojnë këtë element.“Sipas informacioneve, Jurgen Kola ka fshirë kamerat e lokalit të tij për të zhdukur gjurmët e takimeve të Vlora Hysenit me Ergys Agasin.”
Berisha kërkoi që hetuesit dhe prokurorët të verifikojnë kamerat e lokalit dhe rolin e Kolës në këtë histori.
Berisha: “Kola është një ushtar i Vlora Hysenit”
Në vijim të deklaratës së tij, Berisha e përshkroi Jurgen Kolën si një person me rëndësi brenda strukturës së SHISH-it.
Sipas tij, Kola është drejtor operativ dhe ka pasur një rol të afërt me Hysenin.“Ky është një drejtor shumë i rëndësishëm aty. Se harrova t’u them se nuk ka nëndrejtor në SHISH, ndërkohë që Kushtetuta përcakton nëndrejtorin… SHISH nuk ka nëndrejtor. Tani mund të jetë ky më i rëndësishmi. E drejton Jurgen Kola, një ushtar i Vlora Hysenit.”
Këto janë pretendime të bëra publikisht nga Sali Berisha dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatime gjyqësore. Çështja është aktualisht në hetim dhe verifikimi i rolit të personave të përmendur u takon organeve të drejtësisë.
Nga denoncimi i Tempull te deklarata e Berishës
Tempull.com raportoi më herët për pretendimet mbi kontaktet mes Hysenit dhe Agasit. Një ditë më parë, Berisha kishte deklaruar gjithashtu se Hyseni dhe Agasi takoheshin rregullisht, duke thënë se drekat dhe darkat mes tyre zhvilloheshin të paktën dy herë në javë në një lokal në Tiranë.
Sot, deklarata e tij sjell një detaj të ri: lokali në Bërzhitë dhe emri i Jurgen Kolës.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Vlora Hyseni është nën masën “arrest në shtëpi” dhe e pezulluar nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK. Sipas raportimeve të fundit, hetimi lidhet ndër të tjera me dyshime për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve apo të dhënave sekrete.
Ndërkohë, raportime të publikuara sot pretendojnë se në automjetin e Ergys Agasit janë gjetur materiale që lidhen me SHISH-in dhe se Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK për komunikimet me të. Këto të dhëna janë raportuar nga media dhe duhet të vlerësohen në kuadër të hetimit.
Tashmë, emri i Jurgen Kolës dhe lokali në Bërzhitë janë bërë pjesë e deklaratave publike që kërkojnë verifikim nga hetuesit.
Nëse pretendimet për takimet, fshirjen e kamerave dhe rolin e Kolës do të konfirmohen nga hetimi, ato mund të marrin rëndësi në zbardhjen e plotë të marrëdhënieve mes personave të përfshirë në dosjen e SPAK-ut.
Lexo edhe:
Arrestohet ish-drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni, ndalohet në Vërmicë
PAS VLORA HYSENIT, RADARI TEK JURGEN KOLE? / A po heton SPAK dekonspirimin e operacioneve















