Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në Bashkinë Delvinë, ku si pasojë e goditjes nga rrufeja kanë ngordhur rreth 150 krerë bagëti.
Sipas informacionit paraprak të raportuar nga strukturat vendore, rrufeja ka goditur në vendin e quajtur “Jomina”, në zonën malore mbi fshatin Kopaçëz, Njësia Administrative Vergo.
Bagëtitë e ngordhura janë në pronësi të vëllezërve me mbiemrin Xhelili, ndërsa dëmi ekonomik konsiderohet i madh.
Menjëherë pas njoftimit, në zonë kanë mbërritur përfaqësues të Bashkisë Delvinë dhe specialistë të shërbimit veterinar, të cilët po kryejnë verifikimet dhe konstatimet në terren për të përcaktuar numrin e saktë të bagëtive të ngordhura dhe rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet pritet të dalin me një raport zyrtar pas përfundimit të inspektimeve.














