Një tjetër goditje e rëndë ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës është shënuar në Spanjë, ku dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në portin e Vigos, pasi dyshohet se tentuan të tërhiqnin mbi 80 kilogramë kokainë të mbërritur nga Ekuadori.
Operacioni u zhvillua nga Guardia Civil në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Agjencinë Tatimore. Sipas njoftimeve zyrtare, kontejneri me fruta ekzotike u përzgjodh për kontroll nga Njësia e Analizës së Rrezikut dhe gjatë skanimit me rreze X u zbulua lënda narkotike e fshehur në sistemin e ftohjes.
Dy të dyshuarit u arrestuan në orët e para të 15 shkurtit, ndërsa përpiqeshin të hynin në kontejner për të nxjerrë drogën. Gjatë operacionit u sekuestruan 61 pako kokainë, si dhe pajisje që dyshohet se do të përdoreshin për hapjen e kontejnerit, përfshirë një shkallë të palosshme, një trapano, lidhëse kabllosh, telefona celularë dhe një automjet.
Kontrollet e mëtejshme zbuluan edhe nëntë pako të tjera, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në mbi 80 kilogramë.
Sipas mediave spanjolle, ky është sekuestrimi i dytë i kokainës në portin e Vigos për këtë vit, çka ngre shqetësime për intensifikimin e tentativave për trafik droge përmes këtij porti.
Autoritetet spanjolle theksojnë se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikut të narkotikëve.















