Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për debatin e fortë me gjyqtarët lidhur me kërkesën e tyre për rritje pagash, duke u shprehur qartë se nuk do të lejohet përmbysja e rendit të pagave në administratën publike.

Gjatë deklaratës së tij, Rama theksoi se qeveria ka marrë një vendim për indeksimin me 2.5% të pagave për 144 mijë punonjës të administratës publike, ndërsa paga referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë aktualisht është 156.825 lekë në muaj.

Reklame

Sipas kryeministrit, çështja e pagave të gjyqtarëve është kthyer në një debat të gjerë publik, duke nxitur pakënaqësi popullore, veçanërisht për mënyrën se si është artikuluar kërkesa për rritje nga disa shoqata gjyqtarësh.“Përsëri çështja e pagave ka qëndruar në rendin e ditës. Ka pasur shumë komente, shumë çudi dhe shumë absurditete. Për fat të keq, përmes disa shoqatash, gjyqtarët janë vetëvendosur në syrin e një cikloni popullor, në kuptimin e një pakënaqësie të gjerë lidhur me kërkesën për rritje pagash,” – u shpreh Rama.

Ai e cilësoi si të pajustifikuar logjikisht pretendimin se pagat e gjyqtarëve po ulen, vetëm sepse pagat e kategorive të tjera po rriten.

Rama kujtoi se reforma në drejtësi ka pasur në thelb rritjen e ndjeshme të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si një sakrificë e drejtpërdrejtë e taksapaguesve shqiptarë, me qëllim garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.“Ne u kemi dhënë mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë ekstra për të gjithë ata që, pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të ndërtimit të një pushteti gjyqësor të pavarur dhe solid, në shërbim të qytetarëve,” – tha ai.

Sipas Ramës, qeveria ka thyer piramidën tradicionale të pagave, që niste nga Presidenti i Republikës, duke rritur pagat e gjyqtarëve mbi të gjitha kategoritë e tjera, por jo në mënyrë të tillë që ato të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e të tjerëve.“Pagat e gjyqtarëve i kemi rritur mbi të gjithë, por nuk i kemi vendosur mbi gjithë të tjerët në mënyrë të përjetshme. Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të pafundme mbi të gjithë të tjerët,” – theksoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se qeveria dhe ai personalisht janë sulmuar publikisht nga përfaqësues të disa shoqatave gjyqtarësh, por shtoi se shpreson që Gjykata Kushtetuese të japë fjalën e fundit dhe “t’i vendosë vulën” këtij debati.

Reklame