Tiranë – Mbyllja e qendrës shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, në njësinë nr. 5 të Tiranës, u kthye në objekt debati gjatë seancës plenare të Kuvendit.
Deputeti Erion Braçe ngriti shqetësimin për pezullimin e shërbimit në këtë zonë, duke kërkuar nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, që banorëve t’u rikthehet shërbimi pranë lagjes së tyre. Ai theksoi se në këtë zonë jetojnë shumë pacientë kronikë dhe të moshuar, për të cilët distanca është një pengesë reale për marrjen e kujdesit shëndetësor.
Nga ana e saj, ministrja Sala sqaroi se mbyllja e qendrës është bërë pas ekspertizës së Institutit të Ndërtimit, i cili e ka vlerësuar godinën si të pasigurt. Sipas saj, shërbimi është zhvendosur përkohësisht në qendrën ambulatore “Vasil Shanto”, deri në një zgjidhje përfundimtare.
Braçe kundërshtoi këtë argument, duke theksuar se zhvendosja me rreth 10 blloqe ndërtimi larg e bën të vështirë aksesin për pacientët në moshë të thyer dhe ata kronikë.
“Dërgimi i gjithë banorëve në lagjen rreth e qark zonës së rrugës Irfan Tomini, pas shkollës ‘Vasil Shanto’, nuk është zgjidhje. Qendra është larguar me gati 10 blloqe ndërtimi. Të sëmurët kronikë në moshë të madhe e kanë të pamundur,” – u shpreh ai.
Deputeti shtoi se ambientet e qendrës pritëse nuk ofrojnë kushte optimale, duke përmendur mungesën e sistemit të ajrimit në dhomat që ai kishte vizituar. Po ashtu, ai kundërshtoi edhe shifrat e paraqitura nga ministrja për kohëzgjatjen mesatare të një vizite mjekësore.
“Çdo vizitë mjekësore të kryhet për 7 minuta? Sipas të gjitha llogarive, 7 minuta nuk mund të ketë,” – deklaroi Braçe.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një plani të qartë për rikonstruktimin e godinës së mbyllur, duke theksuar se njësia 5 ka nevojë për më shumë qendra shëndetësore funksionale dhe jo për reduktim të tyre.
Debati mbetet i hapur, ndërsa banorët e zonës presin një zgjidhje konkrete për rikthimin e shërbimit shëndetësor pranë komunitetit të tyre.















