Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë ku thekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, e zhvilluar në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin se kërkesa e Prokurorisë Speciale në Hagë rrezikon, sipas tij, të krijojë një shtrembërim të historisë, duke barazuar luftën e UÇK-së me krimet e regjimit serb të Slobodan Millosheviçit, i cili akuzohet për spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë së Kosovës.

Reklame

Kuvendi deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – duke i cilësuar ata si përfaqësues të aspiratave të popullit të Kosovës për liri. Në dokument i drejtohet një kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që procesi gjyqësor të jetë i drejtë, i paanshëm dhe të respektojë dinjitetin e luftës çlirimtare.

Në deklaratë rikujtohet se lufta e UÇK-së u zhvillua në një kontekst ku, sipas Kuvendit, regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj civilëve në Kosovë, ndërsa ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konsiderohet si konfirmim i legjitimitetit të asaj lufte.

Kuvendi shpreh gjithashtu solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar angazhimin për të ndërmarrë hapa diplomatikë dhe politikë në forumet ndërkombëtare, me qëllim mbrojtjen e asaj që e cilëson si e vërteta historike e luftës për liri.

Reklame