Një situatë dramatike po përjeton Kili qendror dhe jugor, ku zjarre masive kanë shkaktuar deri më tani vdekjen e të paktën 20 personave, ndërsa mijëra hektarë pyje dhe zona të banuara janë përfshirë nga flakët.

Zjarret shpërthyen të shtunën dhe u përhapën me shpejtësi alarmante për shkak të temperaturave ekstreme dhe erërave të forta që kanë arritur deri në 70 kilometra në orë. Më të goditura janë rajonet e Ñuble dhe Biobío, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago.

Reklame

Përballë situatës kritike, presidenti i Kilit, Gabriel Boric, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në këto dy rajone, me qëllim forcimin e koordinimit mes qeverisë dhe ushtrisë për të përballuar dhjetëra vatra aktive zjarri, në kulmin e një vale të fortë të të nxehtit që ka përfshirë vendin.

“Ne kemi arritur të kontrollojmë ose të përmbajmë disa nga zjarret, por disa mbeten shumë aktive dhe po luftojmë një betejë intensive”, deklaroi presidenti Boric gjatë një vizite në rajonin e Ñuble.

Sipas Ministrit të Sigurisë së Kilit, Luis Cordero, deri më tani janë djegur rreth 85 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 50 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre. Përpjekjet e zjarrfikësve dhe forcave të emergjencës vijojnë pa ndërprerje, por kushtet e vështira atmosferike po e bëjnë ndërhyrjen jashtëzakonisht të vështirë.

Autoritetet raportojnë se temperaturat në disa zona kanë kaluar 38 gradë Celsius, duke favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Ndërkohë, numri i saktë i banesave të shkatërruara ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por autoritetet lokale në një komunë të Concepción, në rajonin Biobío, bëjnë me dije se të paktën 253 shtëpi janë shkatërruar plotësisht.

Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku nga zjarret është ende i lartë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e evakuimit.

Reklame