Kryeministri Edi Rama ka komentuar vizitën që zhvilloi këtë javë në Vatikan, ku u takua me Papa Leone XIV. Gjatë një bisede në podcastin “Flasim”, Rama zbuloi se i ka përcjellë Atit të Shenjtë një ftesë zyrtare për të marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme fetare në Shqipëri.

Sipas kryeministrit, ftesa lidhet me festën e madhe të Komitetit Katolik, që do të organizohet me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur si mbrojtësja e Shqipërisë.

Reklame

Rama u shpreh se gjatë takimit është diskutuar gjerësisht për Shqipërinë dhe zhvillimet globale, ndërsa theksoi se Papa ka treguar interes të veçantë për ftesën, edhe pse ende nuk ka një konfirmim për pjesëmarrjen e tij.“Folëm për Shqipërinë, folëm për botën. E ftova të ishte i pranishëm në festën e madhe të Komitetit Katolik pikërisht për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Luani XIII, mbrojtësja e Shqipërisë. Nuk e di a do të jetë e mundur, por ftesa u bë dhe Papa u shpreh tepër i interesuar,” – u shpreh Rama.

Një vizitë e mundshme e Papës në Shqipëri do të konsiderohej një ngjarje historike dhe simbolike, jo vetëm për komunitetin katolik, por edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Reklame