Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vlerësuar punën e strukturave policore në Lezhë, duke deklaruar se ndërhyrjet dhe informacioni policor kanë bërë të mundur parandalimin e dy ngjarjeve të rënda kriminale.

Gjatë një vizite në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, Hita përgëzoi efektivët për rezultatet e arritura në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale.

Reklame

Sipas tij, puna hetimore dhe operacionale çoi në identifikimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se po përgatiteshin të vepronin ndaj personave konkretë.

“Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë”, deklaroi Hita.

Hita flet edhe për shpërthimin me eksploziv në Lezhë

Gjatë takimit, kreu i Policisë së Shtetit u ndal edhe te ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Lezhës, ku u përdor lëndë eksplozive.

Ai tha se ngjarja është dokumentuar dhe se hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur, pa dhënë detaje të tjera mbi autorët apo motivet e saj.

Hita kërkoi gjithashtu angazhim më të madh të strukturave policore për garantimin e sigurisë në shkolla, veçanërisht në perimetrin e këtyre institucioneve.

Ai vuri theksin te nevoja për të goditur rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe kontrolle nga efektivët.

Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi konsolidimin e mëtejshëm të strukturave vendore dhe vijimin e punës me profesionalizëm e përgjegjshmëri.

Nga ana e tij, drejtori i DVP Lezhë, Ermal Muçaj, falënderoi Hitën për mbështetjen me efektivë dhe mjete, duke garantuar se policia vendore do të vijojë angazhimin për sigurinë në të gjithë qarkun.

Lexo edhe

E kërkonin në Itali për një vrasje të vitit 2000, policia i troket në derë në Vlorë! (EMRI)

E kërkonin në Itali për një vrasje të vitit 2000, policia i troket në derë në Vlorë! (EMRI)

Reklame