Hetimet për vdekjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës po marrin një tjetër drejtim. Gjetja e disa gëzhojave në një distancë prej 500-600 metrash nga banesa ka ngritur dyshimet se viktima mund të jetë ndjekur dhe qëlluar disa herë përpara se të merrte plagën fatale në oborrin e shtëpisë.
Ngjarja ndodhi më 3 nëntor, ndërsa bashkëshortja dhe djali i viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, kanë mohuar përfshirjen në krim. Ata kanë pretenduar se Urimi ishte sulmuar nga një kafshë e egër dhe, në gjendje të rënduar psikologjike, kishte qëlluar veten me pistoletë.
Por ky version nuk ka bindur gjykatën e Dibrës, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për nënë e bir, të cilët deri tani janë të vetmit persona të dyshuar për ngjarjen.
Gëzhojat e gjetura 600 metra larg banesës, pista e re e hetimit
Pas zhvillimeve në gjykatë, hetuesit janë rikthyer në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer kontrolle të tjera në zonën përreth.
Gjatë këqyrjes janë gjetur disa gëzhoja në një distancë prej rreth 500-600 metrash nga banesa e familjes Fiku. Dyshohet se ato mund t’i përkasin së njëjtës armë zjarri të përdorur në ngjarje, një pistoletë e tipit TT, e gjetur në oborrin e banesës ditën e krimit.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Urim Fiku mund të jetë ndjekur nga larg dhe ndaj tij mund të jenë qëlluar disa herë. Ai dyshohet se ka arritur deri në oborrin e banesës, ku ka marrë plumbin fatal.
Gëzhojat e gjetura së fundmi janë dërguar në Policinë Shkencore në Tiranë. Ekspertiza balistike pritet të përcaktojë nëse ato janë shkrepur nga e njëjta pistoletë TT.
Dëshmitë e nënë e bir, disa versione për vdekjen e Urim Fikut
Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje për hetuesit janë deklarimet e ndryshme të Sadete dhe Gazmir Fikut lidhur me rrethanat e vdekjes.
Fillimisht, nënë e bir kanë deklaruar se Urim Fiku ishte përleshur me një kafshë të egër, të cilën e identifikuan si ari, dhe si pasojë kishte humbur jetën.
Më pas, versioni i tyre ka ndryshuar. Ata kanë pretenduar se 62-vjeçari ishte kthyer pranë banesës i dëmtuar nga sulmi i kafshës dhe, në kushtet e tronditjes, kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten.
Ndërkohë, Gazmir Fiku ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Bulqizë, në zyrën ku punon si përgjegjës i një sektori në OSHEE.
Gjetja e gëzhojave të tjera dhe ekspertiza balistike pritet të jenë pjesë e rëndësishme e hetimeve për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në minutat e fundit të jetës së 62-vjeçarit.
Sadete dhe Gazmir Fiku vijojnë të jenë nën masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Urim Fikut vazhdojnë.
Lexo edhe
Vrasja e Urim Fikut, zhduken pamjet e kamerave! Djali dyshohet se i fshiu nga telefoni














