Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nesër protestës në mbështetje të revoltës studentore në Tiranë.
Përmes një deklarate, Berisha kërkoi mobilizim të gjerë, duke e cilësuar suksesin e protestës studentore si një fitore për të gjithë shqiptarët që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Ai e drejtoi thirrjen te qytetarët e të gjitha moshave dhe bindjeve politike, duke vlerësuar guximin, qëndrueshmërinë dhe sakrificat e studentëve gjatë protestës.
“Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend. Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi me epitete të rënda politike, ndërsa e akuzoi për krijimin e një sistemi që, sipas tij, po e boshatis vendin.
Në përfundim, Berisha përsëriti apelin për pjesëmarrje në protestën e së nesërmes, duke theksuar se studentët meritojnë mbështetjen e qytetarëve.
“Të gjithë me studentët, të gjithë për studentët, për suksesin e revoltës së tyre. Të gjithë në Tiranë, të gjithë me studentët!”, ishte thirrja e tij.
Lexo edhe
Berisha del nga SPAK: “Ka amnistuar krimin elektoral, herën tjetër do të vij me maskë antidrogë”














