Policia greke ka identifikuar shqiptarin e plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kaluar në Athinë. Bëhet fjalë për Helis Cato, 38 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të Sarandës, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Sipas burimeve zyrtare, Cato rezulton i shpallur në kërkim nga autoritetet greke, pas goditjes së një grupi kriminal që dyshohet se merrej me tregtimin e kokainës. Operacioni u zhvillua në qershor të këtij viti, ku u sekuestruan edhe armë zjarri.
Në atë aksion u arrestuan 9 persona, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre edhe 38-vjeçari nga Saranda. Në total, grupi përbëhej nga 11 shqiptarë dhe 3 shtetas grekë.
Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, policia greke ka arrestuar dy të mitur: shqiptarin F. Keqi, 16 vjeç, dhe shtetasin grek I. Karikis, 16 vjeç.
Sipas informacioneve, të rinjtë ndodheshin në shoqërinë e Helis Catos në momentin e të shtënave. Pas ngjarjes, ata kanë tentuar të largohen dhe janë arrestuar për veprën penale të mosbindjes ndaj urdhrit të policisë.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë e qartë se kush janë personat që qëlluan ndaj 38-vjeçarit. Dy të miturit nuk janë identifikuar si autorë të atentatit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar pranë një kishe në lagjen Kolonos të Athinës. Autorët dyshohet se kanë qëlluar dy herë në drejtim të shqiptarit.
Pasi u godit nga një plumb, Cato arriti të largohej drejt automjetit të tij, i cili ishte parkuar rreth 150 metra larg vendit të ngjarjes. Aty u gjet nga policia dhe më pas u transportua në spital.
38-vjeçari vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa autoritetet greke po hetojnë për identifikimin e autorit ose autorëve dhe zbardhjen e motiveve të atentatit.
Lexo edhe
Atentat në Athinë, shqiptari qëllohet në bark dhe vrapon 150 metra drejt makinës














