Pas më shumë se një jave nga transferimi në burgun e Fierit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pretendon se gjendja e këmbës së thyer i është përkeqësuar për shkak të vonesës në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore.

Sipas avokatit të tij, Plarent Ndreca, Veliaj është ekzaminuar më 6 nëntor në Spitalin e Burgut dhe më pas mjekët e Spitalit Memorial në Fier i kanë rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.

Reklame

Veliaj kishte thyer këmbën gjatë kohës që ndodhej në paraburgimin e Durrësit. Ai u transferua në burgun e Fierit më 28 tetor, por, sipas pretendimeve të avokatit, ekzaminimi për gjendjen e këmbës është kryer vetëm disa ditë më vonë.

Ndreca: Ekzaminimi duhej të ishte bërë shumë më herët

Avokati Plarent Ndreca ka bërë të ditur se klienti i tij e ka informuar përmes telefonit mbi rekomandimin e mjekëve për operacion.

“Veliaj më tha në telefon se do bëjë operacion për këmbën e thyer. Këmba i është përkeqësuar prej mosekzaminimit në kohë. Veliaj më tha se ka bërë sot ekzaminim në Spitalin Memorial në Fier dhe se doktorët e Memorialit në Fier i rekomanduan operacion të këmbës”, është shprehur Ndreca.

Sipas avokatit, mjeku që e vizitoi Veliajn ka konstatuar problematika të ndjeshmërisë së këmbës dhe ka rekomanduar ekzaminim radiografik për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit.

Emaili drejtuar Burgjeve: Do të ndjekim rrugë ligjore

Në një email të dërguar më 6 nëntor drejtuesve të burgut të Fierit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ndreca kërkon marrjen e menjëhershme të masave për ekzaminimin dhe trajtimin e klientit të tij.

Në shkresë, avokati pretendon se kërkesat për ekzaminim mjekësor janë përsëritur dhe se mjeku Flamur Kadriu ka konstatuar se gjendja kërkon ndërhyrje urgjente.

Ndreca kërkon që ekzaminimi radiografik të kryhet pa vonesa dhe që, në bazë të rezultateve, Veliaj të vlerësohet nga një mjek specialist.

Në të njëjtin komunikim, avokati paralajmëron se çdo vonesë e mëtejshme apo përkeqësim i gjendjes shëndetësore mund të sjellë përgjegjësi civile dhe penale për autoritetet përgjegjëse.

Ai kërkon gjithashtu që të shqyrtohet lidhja e mundshme mes gjendjes aktuale të këmbës dhe veprimeve apo mosveprimeve të autoriteteve, duke ngritur edhe dyshimin nëse vonesat mund të kenë qenë të qëllimshme.

Deri në informacionin e bërë publik nga avokati, nuk ka një reagim të autoriteteve të burgjeve lidhur me pretendimet për vonesën e ekzaminimeve dhe përgjegjësinë për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Veliajt.

lexo edhe

“Edhe në Hënë po të më internojnë…”/ Veliaj njofton 15 projekte të reja për çerdhe dhe kopshte

Nga integrimi europian te përplasja me Veliajn, Ilir Meta lëshon akuza të forta ndaj Ramës

Reklame