Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka bërë thirrje protestuesve të ndalin dhunën ndaj institucioneve, bizneseve private dhe efektivëve të policisë, duke paralajmëruar se personat që kanë kryer akte të dhunshme do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Gjatë një konference për mediat, Hita deklaroi se, sipas të dhënave të Policisë, personat e ndaluar gjatë dy netëve të para të protestave nuk kanë qenë në shumicën dërrmuese studentë. Ai ngriti shqetësimin edhe për përfshirjen e gjimnazistëve në tubime të shoqëruara me dhunë, duke u bërë thirrje prindërve të mos lejojnë që të miturit të përfshihen në incidente.
“Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë pronën dhe jetën”, deklaroi Hita, duke shtuar se nga të ndaluarit gjatë natës së parë, sipas tij, asnjëri nuk rezultoi student, ndërsa gjatë natës së dytë vetëm një pjesë e vogël rezultuan të tillë.
Hita: Protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se çdo sulm ndaj efektivëve dhe institucioneve do të ndiqet penalisht. Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe ata që kryejnë akte dhune.
“Çdo sulm ndaj uniformës së Policisë është sulm ndaj shtetit ligjor. Kush ka ushtruar dhunë ndaj Policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin”, u shpreh Hita.
Ai kërkoi nga efektivët të ruajnë profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, por njëkohësisht të mos tërhiqen përballë akteve të dhunshme.
“Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
71 efektivë të plagosur, Policia thotë se ka siguruar pamjet filmike
Sipas Hitës, prej afro 72 orësh Tirana është përballur me episode dhune, zjarrvënieje dhe dëmtimi të pronës publike e private. Ai bëri të ditur se në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë policie, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Hita tha se Policia ka bashkëpunuar që në fillim me Prokurorinë e Tiranës dhe ka siguruar pamjet filmike që dokumentojnë incidentet. Sipas tij, janë identifikuar dhe kapur në flagrancë edhe persona që dyshohet se kanë dëmtuar biznese.
Ai theksoi se po dokumentohen veprat penale dhe se përgjegjësia do të përcaktohet për secilin person, në përputhje me procedurat ligjore.
Apel protestuesve: Distancohuni nga personat e dhunshëm
Drejtori i Policisë nënvizoi se e drejta për protestë paqësore është e garantuar për çdo qytetar, student apo forcë politike, por sipas tij, kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës.
Deklaratat e Hitës vijnë në një klimë të tensionuar, pas disa ditësh protestash dhe përplasjesh në Tiranë. Ndërsa Policia paralajmëron identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në incidente, protesta paqësore mbetet një e drejtë kushtetuese.
Lexo edhe
Protesta në Tiranë/ Arrestohen 55 persona, procedohen 98 të tjerë, 51 efektivë të plagosur
Berisha thirrje për bojkot të mësimit: Biznesmenët t’i bashkohen protestës, Rama të japë dorëheqjen














